Lidhje me faqet e vjetra të PKG

Faqet e ndërkombëtare të PKG transferohen gradualisht në format të ri. Ju mund të gjeni faqet e mëparshme qe tashmë jane përmirsuar (me të gjitha përbërjet e tyre) në linkun e mëposhtëm.

KKE nuk futet në qeveri antipopullore

Pjesë nga intervista e Sekretarit të Përgjithshëm të KQ të KKE, Dhimitri Kucuba në gazetën «Proto Thema»

-Çfarë do të thotë sot termi "E majta"?

E vërteta është se është një term që e kanë vuajtur shumë me kalimin e kohës si në Greqi ashtu edhe në rang ndërkombëtar.

Por, në ndërgjegjen e një pjese të madhe të popullit tonë, e Majtë ende nënkupton gjëra si lufta, solidariteti, dashuria për njerëzit e vuajtur. Do të thotë të shohësh mundësitë e përparimit që ka krijuar puna dhe mendimi njerëzor dhe t'i përputhësh ato me plotësimin e nevojave moderne të popullit.

Për shembull, do të thotë kundërshtim ndaj shfrytëzimit të punëdhënësit, ndaj çdo forme tjetër të shfrytëzimit të njeriut nga njeriu, kundër racizmit, intolerancës. Të jesh gjithmonë me të dobëtit, të «dridhesh nga indinjata për çdo padrejtësi», siç thoshte Che Guevara.

Do të thotë të jesh në anën e të gjithë popujve të botës dhe të kundërshtosh ata që i masakrojnë dhe i shtypin ata për interesat e disa të paktëve.

 

-A është SYRIZA një parti e majtë dhe progresive?

Çfarë nga të gjitha këto që ju thashë më lartë ju kujtuan juve SYRIZA-n dhe qeverinë që ajo ushtroi? SYRIZA ka zgjedhur: Të jetë me stabilitetin e një sistemi të korruptuar, me “investitorët”, me BE-në, me NATO-n. Të gjitha bashkë, për fat të keq, nuk bëhet...

 

-Pse përjashtoni çdo bashkëpunim me të?

Por tashmë e thonë dhe vetë kuadrot e SYRIZA-s se programet tona janë “pa-pajtueshme”. Natyrisht, ju desh një dekadë e tërë sa ta pranonin këtë fakt dhe për kaq shumë kohë u tallën me këta njerëz që ndihen të majtë duke u thënë se është faji i KKE që jemi të "ngulur" për faktin që nuk bëjmë kompromis me SYRIZA-n. Me mire vone se kurrë...

Por, më lejoni të sqaroj diçka: Fakti që ne, nuk bashkëpunojmë në një qeverisje antipopullore me SYRIZA-n apo me ndonjë parti tjetër të sistemit, nuk do të thotë se nuk i kemi krahët e hapura ndaj njerëzve popullorë, luftëtarëve të ndershëm që besuan në këto parti në të kaluarën, ndaj njerëzve që u zhgënjyen dhe sot shpresojnë vetëm te Partia Komuniste e Greqisë (KKE).

Në fund të fundit, kjo shihet edhe në fletët tona të votimit. Shih, për shembull, kandidaturën e Konstantina Kuneva në Athinën A, e cila ishte eurodeputete e SYRIZA-s në Parlamentin Europian dhe gjithashtu ka simbolikën e saj të veçantë për betejat që ajo bëri dhe gjithçka që ajo vuajti, ose shih kandidaturën e Asimina Ksirotirit në rang kombëtar që ka qenë Prefekte e Selanikut dhe deputete e SYNASPISMOS-it dhe e DIMAR-it, apo aktivistë të tjerë që kanë qenë edhe deputetë të zgjedhur me SYRIZA-n dhe tani janë kandidat në fletë-votën e KKE.

 

-Shumë thonë se KKE rehatohet duke luajtur rolin e opozitës

Ata që i thonë këto, e kam fjalën për drejtues të forcave të tjera politike, a do ta ndryshonin vendin që kanë me ne? Le të vijnë një ditë me komunistët për të parë se si është të përplasesh me punëdhënësin tënd, të jesh në shënjestër, të sakrifikosh kohën tënde personale për të vrapuar gjithë ditën për të ndaluar dëbimet nga shtëpitë dhe ankandet, për të qenë pranë kujtdo që lufton...

Dhe, madje të mos kesh asnjë përfitim financiar nga kjo, por të kesh dhe humbje në shumë raste, sepse mund të pushohesh nga puna ose sepse mund t'ju duhet të lini një mundësi individuale që ju shfaqet për t'i qëndruar besnik parimeve të tua.

Kështu bëjnë komunistët, kjo është para së gjithash opozita e KKE dhe për këtë duhet forcuar. Edhe brenda në Parlament, sigurisht. Nuk e imagjinoj dot që deputetët e KKE, që derdhin të gjithë rrogën e tyre në Parti dhe jetojnë si punëtori mesatar, të quhen të rehatuar, nga partitë që grinden se kush e ka vilën dhe pishinën më të madhe...

 

-Ata gjithashtu pretendojnë se një bashkëpunim i mundshëm qeveritar me SYRIZA-n do ta detyrojë Partinë Komuniste të Greqisë (KKE) të bëjë kompromis dhe të tërhiqet nga pozicionet e saj "të ngurta", prandaj "jo" për çdo bashkëpunim qeveritar?

Nëse do t'i bashkoheshim ndonjë qeveri antipopullore, jo vetëm se do të tërhiqeshim thjesht nga qëndrimet tona, por do të bëheshim diçka tjetër nga ajo që jemi dhe nga ajo që presin punëtorët nga ne, të cilët -pavarësisht dallimeve individuale- ata përgjigjen se KKE është partia më e besueshme. Imagjinoni, për shembull, të kishim hyrë në qeverinë SYRIZA-ANEL në vitin 2015 dhe tani privatizimi i TRAINOSE-së apo dorëzimi i kredive të kuqe të fondeve, apo ligji Katrugalo që shkurtonte pensionet të kishte “vulën” tonë.

 

-Me asnjë?

Ne do të jemi i vetmi kundërshtar i frikshëm i çdo qeverie antipopullore që do të formohet dhe do të jemi mbështetja e vetme për popullin i cili, që ditën e parë pas zgjedhjeve të ardhshme duhet të dali në skenë në mënyrë shumë më dinamike.

Sa më e fortë të jetë KKE dhe sa më e dobët të jetë qeveria e ardhshme, aq më i fortë do të jetë populli. Dhe populli ynë ka nevojë për një KKE më të fortë, sidomos me këto që kemi para nesh. E shikoni se çfarë po ndodh me falimentimet në bankat e të gjithë botës... Problemet e njohura të kapitalizmit, por dëmet do të shkojnë t'i ngarkojnë përsëri në nënbalancat e njohura, te popujt.

 

-Nuk ka dallime mes SYRIZA-s dhe Demokracisë së Re (ND)?

Ka, përndryshe do të ishin një parti dhe jo dy. Ne nuk themi se ata janë njësoj, themi se bien dakord në çështjet bazë, për çështjet "serioze", si ato që ju thashë më parë. Kjo është arsyeja pse SYRIZA votoi gjysmën e projektligjeve të Micotakis, ashtu siç kishte bërë ND më parë kur në qeveri ishte SYRIZA.

Përtej kësaj, ata gjithashtu nuk do të pajtohen për disa çështje, sepse njëri shkon më mirë me disa pronarë anijesh, dhe një tjetër me disa industrialistë ose bankierë. Sido që të jetë, ata kanë dhe origjinë të ndryshme, megjithëse, në një masë të madhe edhe SYRIZA organizativisht është transformuar, ka mbledhur gjithë PASOK-un e vjetër dhe tani mbledh "të djathtën Karamanli-sit", tashmë nuk është as "e majta rinovuese" që dikur thoshin...

Dhe ju e dini shumë mirë se këto dallime të vogla janë freskuese për sistemin dy-partiak, sepse ato i zmadhojnë dhe i tregojnë botës një pamje sikur ata kanë dallime si "dita me natën", kështu që kur zhgënjehesh nga njëri, të shkosh te tjetri dhe pastaj përsëri mbrapa, prapë nga e para.

 

-A shkakton “shtetëzimi”, pra shtetëzimi i të gjitha shërbimeve dhe mekanizmave, në të vërtetë zmbrapsje në pjesë të mëdha të popullsisë?

Njerëzit e urrejnë shtetin aktual, dhe me të drejtë, sepse është një shtet armiqësor ndaj tyre. Sepse i zhvat ata me taksa, me ankande, sepse miraton ligje kundër tyre, sepse ka burokraci aty ku i intereson shtetit, por funksionon “shpejt e shpejt” në raste të tjera, pse nuk bën projekte kundër përmbytjeve? Projekte antisizmike ne shkolla pse nuk po pastron pyjet qe te mos digjen dhe vetekuptohet...

Ne nuk jemi me këtë shtet. Dhe nuk themi vetëm thjeshtë “shtetëzim”, siç do të bëjë Micotakis tani, siç thotë ai, me EYDAP-in (Rrjetin e ujësjellësit), por uji do të vazhdojë së qeni mall. Ne themi «socializim/shoqërizim». Me fjalë të tjera, bizneset, fabrikat, portet, aeroportet, kantieret, hekurudhat duhet t'i përkasin punëtorëve që i punojnë. Jo duke i bërë punëtorët aksionarë, siç thonë disa të tjerë, por duke i kaluar të gjitha këto nën kontrollin e një shteti tjetër, të mirëfilltë popullor që duhet ta ndërtojmë nga e para, një shtet dhe pushtet të punëtorëve.

 

-Çfarë do të thotë konkretisht KKE me shprehjen “kur të dojë populli?”. Disa e interpretojnë këtë frazë si "revolucion me armë", disa të tjerë si revoltë e përgjithshme dhe shkatërrim...

Kur populli do, do ta gjejë mënyrën për të shprehur vullnetin e tij, ashtu siç e kanë gjetur popujt gjatë gjithë historisë. Dhe atëherë asgjë nuk do ta ndalojë atë. Sepse ju e dini shumë mirë që establishmenti i vjetër do të bëjë gjithçka për të parandaluar ndryshime të tilla rrënjësore. Ne nuk kemi frikë nga fjala revolucion dhe deklarohemi admirues të revolucioneve që përmbysën feudalizmin dhe sollën kapitalizmin në çdo vend, si Franca dhe Greqia, dhe sigurisht revolucionet që sollën socializmin për herë të parë në shumë shtete në shekullin e kaluar, si Revolucioni i Tetorit në Rusi ose Revolucioni Kuban e të tjera.

Sigurisht që nuk bëhet fjalë për shkatërrim, por për krijimin e një shoqërie shumë më të drejtë dhe një bote më të mirë.

 

-Me rrethanat aktuale ndërkombëtare, në rast të pushtetit popullor dhe dëbimit të së gjitha bazave ushtarake amerikane, kjo nuk do të përbëjë një akt armiqësor ndaj aleatëve aktualë, me rezultat që Greqia e vogël të izolohet dhe aq më keq, të shkaktojë një episod të nxehtë lufte me Turqinë?

Nuk po më thoni, sot që jemi kokë e këmbë në NATO, nuk po ndodhin incidente të nxehta? Ato që u bënë në shkurt 2020 në zonën e Evros apo më pas, në verën e po atij viti, me anijen kërkimore në shelfin kontinental grek, çfarë ishin ato? Pa le më pushtimi i Qipros, që ishte një luftë e hapur...

Kur marrim tanket nga ishujt dhe ia dërgojmë Zelenskit sepse e do NATO, a nuk dobësohemi ndaj fqinjit agresiv?

Bazat ushtarake amerikane që kanë mbushur vendin dhe përdoren për të transportuar materiale luftarake të NATO-s për më lartë, a nuk do të jenë objektiv i një sulmi nga kampi kundërshtar nëse lufta bëhet e përgjithshme dhe formalisht bëhet një luftë NATO-Rusi? Po flasim për qytetet tona tani, ë? Larisën, Alexandrupolin, Hania në ishullin e Kretës...

 

-Por atëherë do të jemi plotësisht të izoluar.

Dhe më lejoni t'ju them dhe për izolimin... Sanksionet ndaj Rusisë, Iranit dhe vendeve të tjera në të cilat ne marrim pjesë si anëtarë të NATO-s dhe BE-së, a nuk na izolojnë nga popujt e tjerë, me të cilët kishim dhe mundet të kishim marrëdhënie, të blejnë prodhimet tona bujqësore, të na shesin naftë dhe gaz natyror, ndërkohë që ne nuk shfrytëzojmë mundësitë tona energjetike, të vijnë për pushime në vendin tonë e shumë të tjera?

Pra, tani, ne kemi atë që ju përshkruani. Shiko, ne nuk po tallemi me askënd. Dhe rruga që ne propozojmë do të ketë vështirësi. Me ndryshimin se do të jenë vështirësi në një rrugë që të çon në diçka më të mirë.

 

-Për shumë njerëz një pozicion i tillë pavarësie dhe neutraliteti duket si një goditje në themelet e vendit

Ne, megjithatë, nuk kërkojmë asnjë izolim të vendit, nëse kjo është ajo që doni të thoni. As të “largohemi nga Evropa”, siç dëgjoj shpesh të thonë njerëzit, sikur ne do ta marrim vendin e ta çojmë në Australi... Europa ka ekzistuar edhe para Bashkimit Europian dhe do të vazhdojë të ekzistojë edhe më pas.

Për të kuptuar dikush se çfarë thotë Partia Komuniste e Greqisë (KKE), duhet t’i mendojë gjërat edhe në evoluimin e tyre, jo të stanguara. Me fjalë të tjera, ndryshimet historike botërore nuk mund të ndodhin vetëm në Greqi dhe rreth e rrotull të mos "dridhen as gjethet".

A e imagjinonte dikush 20 vjet më parë se Britania do të ishte larguar nga BE-ja ose se Finlanda do të ishte anëtarësuar në NATO, që konsiderohej si përkufizimi i "neutralitetit"? Pra, gjërat ndryshojnë. Çështja është që popujt t'i vënë vulën ndryshimeve dhe të mos tërhiqen zvarrë nga interesat e të tjerëve që përcaktojnë sot këto ndryshime.

 

-Ç angazhimi/shkëputja nga NATo dhe BE tingëllon mirë në veshë, por realiteti është si një makth.

Ne do të synojmë bashkëpunim të barasvlershëm me të gjitha shtetet fqinje si dhe me vendet e tjera dhe këtë do të na e mundësojë vetëm shkëputja/ç angazhimi nga aleancat imperialiste në të cilat marrim pjesë sot.

 

-A hedh ende një hije të rëndë kujtesa e socializmit ekzistues mbi zgjedhjet e masave?

Sigurisht që ka një hije. Por nuk e di nëse është aq shumë hija e kujtesës apo e hija e mungesës. Sigurisht që ka pasur probleme dhe gabime të rënda në rrugën e ndërtimit të socializmit në Bashkimin Sovjetik dhe në vende të tjera, sigurisht për shumëkënd ai ekziston si një "kujtim" dhe një imazh i deformuar, sepse janë derdhur tonelata boje për propagandën antikomuniste.

Por, ajo që rëndon kryesisht është mendimi se “socializmi ka ekzistuar dhe nuk ekziston sot, pra ndoshta ka dështuar”. Nuk ekziston ai “fanar ndriçues” që kishim atëherë dhe mund t’i thoshim botës “shiko, aty i kanë këto të drejta, mundet t’i arrijmë edhe këtu nëse luftojmë në këtë drejtim”.

Kjo është arsyeja pse ne kemi filluar një përpjekje gjigande vite më parë dhe po e vazhdojmë të studiojmë dhe identifikojmë shkaqet që çuan në këtë rezultat. Të gjitha provat na çojnë në një konkluzion themelor: se nuk ishte socializmi ai që dështoi në fund të fundit, por përpjekja për të zgjidhur problemet e socializmit me "recetat" e kapitalizmit.

 

 

21.04.2023